Anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor sot mbajtën takim koordinues me përfaqësuesit e BNJVL-së të udhëhequr nga kryetari Orce Gjorgjievski, ku u bisedua për bashkëpunim dhe koordinim të ndërsjellë në realizimin e aktiviteteve për Zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe Zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, theksoi nevojën e bashkëpunimit me komunat në procesin zgjedhor dhe domosdoshmërinë e sigurimit të kushteve teknike, logjistike dhe hapësinore nga ana e tyre, në mënyrë që Komisionet Komunale të Zgjedhjeve të mund të zbatojnë aktivitetet zgjedhore.

Nënkryetarja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ditmire Shehu, kërkoi mbështetje nga BNJVL-ja lidhur me çështjen e qasjes së personave me aftësi të kufizuara në vendvotime, gjegjësisht të merret parasysh qasja në vendvotime nga çdo aspekt në mënyrë që ata mund ta ushtrojnë pa probleme të drejtën e votës.

Në takimin koordinues, përfaqësuesit e KSHZ-së dhe BNJVL-së diskutuan edhe për sigurinë e vendvotimeve gjatë procesit të bartjes dhe ruajtjes së materialeve zgjedhore një ditë para zgjedhjeve.

Kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, shprehu përkushtimin dhe gatishmërinë e tij që së bashku me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve t’i sigurojnë të gjitha kushtet hapësinore dhe teknike, në mënyrë që zgjedhjet të organizohen sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare në një proces të drejtë, demokratik dhe gjithëpërfshirës.

.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content