Me qëllim implementimin e standardeve ndërkombëtare për zgjedhjet, si dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias për trajnime të vazhdueshme të administratës zgjedhore dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor, është hartuar “Studimi i fizibilitetit dhe udhërrëfyesi për formimin e Qendrës së trajnimeve për zgjedhjet”.

 – Studim fizibiliteti zakonisht bëhet kur dëshironi të krijoni një organ, ose një institucion të ri, ose t’i përmirësoni institucionet ekzistuese. Në proces janë të përfshirë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe organe të tjera siç janë përfaqësues të komisioneve komunale të zgjedhjeve, por edhe përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe mediave, në mënyrë që t’i identifikojmë cilat janë nevojat e tyre konkrete, kështu që në këtë mënyrë procesi u bë gjithëpërfshirës dhe transparent për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Lajmi i mirë është se shumë gjëra tashmë janë vendosur këtu në Maqedoninë e Veriut, kështu që ekziston një sistem për trajnime, ka një program dhe një grup trajnuesish, në fushën e edukimit të qytetarëve dhe votuesve. – tha drejtuesi i ekipit, përgjegjës për përgatitjen e studimit, Pavell Kabaçenko.Sipas tij, Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndërmarrë hapin tjetër në drejtim të përmirësimit dhe institucionalizimit të trajnimeve dhe përgatitjet për të njëjtën duhet të fillojnë menjëherë.

 – Duke qenë se kemi qenë të përfshirë në këtë proces për një kohë të gjatë, mund të them se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse disa aktivitete konkrete tashmë janë duke filluar. Nëse ia dalim do të thotë sukses historik, sepse deri më tani nuk ka ekzistuar dhe është një segment i rëndësishëm për ngritjen e nivelit të demokracisë në vend në përgjithësi. – tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

 – Vizioni i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe strategjia e tij afatgjate është ngritja e një qendre trajnimi që do të ekzistojë në kuadër të strukturës së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, por që do të ketë përpjekje më të fokusuara drejt edukimit për të gjithë aktorët në zgjedhje, dhe jo vetëm për organet zgjedhore si deri tani. – theksoi Lupka Guguçevska Filiposka, udhëheqëse e seksionit për trajnime të vazhdueshme në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

 Ajo shtoi se veçantia e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve si institucion është grupi i synuar që duhet ta edukojë. Këta nuk janë vetëm votuesit, partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, mediat, por fjalë për fjalë të gjithë qytetarët e këtij vendi – edhe ata që janë në bankat e shkollave, sepse për të pasur një rezultat afatgjatë, gjegjësisht për të rritur ndërgjegjësimin dhe njohuritë për demokracinë dhe zgjedhjet, me edukimin duhet filluar shumë më herët. Qendra do të punonte në mënyrë më efektive edhe me kategori të ndryshme të votuesve, si votuesit me aftësi të kufizuara, burra dhe gra si kategori të veçanta, votues nga zonat rurale, votues me aftësi ndryshe etj.

 – Shpresojmë që ky studim, së bashku me diskutimet e vazhdueshme për këtë temë, të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për përmirësimin e edukimit për zgjedhjet, si dhe të ndihmojnë në forcimin e punës së administratës zgjedhore, jo vetëm në organizimin e zgjedhjeve, por edhe në ofrimin e shërbimeve më të mira për votuesit dhe aktorët e tjerë në zgjedhje. Këto angazhime synojnë të çojnë përpara reformat zgjedhore, duke rritur transparencën, integritetin dhe besimin e përgjithshëm në proceset zgjedhore. – theksoi Joana Kozma, drejtoreshë e zyrës së IFES-it në Shkup.

 Studimi është hartuar nga projekti “Mbështetje për reformat zgjedhore” i Qeverisë Zvicerane, i cili zbatohet nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES). Projekti synon procese zgjedhore më gjithëpërfshirëse dhe demokratike të menaxhuara nga organizimi i përforcuar i zgjedhjeve, të cilat vëzhgohen nga afër nga qytetarët.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content