Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Boris Kondarko dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve sot u takuan me përfaqësues të ODIHR-it si pjesë e agjendës së tyre për takime me të gjithë aktorët relevantë në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
Në takim, anëtarët e KSHZ-së me përfaqësuesit e ODIHR-it diskutuan për Raportin e misionit vëzhgues ndërkombëtar për zgjedhjet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për Zgjedhjet Presidenciale dhe Parlamentare 2024. Përmes analizës së pjesëve të Raportit që referohen punës së KSHZ-së dhe organeve zgjedhore, është konstatuar se nuk ka rekomandime konkrete për punën e KSHZ-së, përkatësisht se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të ligjshme dhe transparente, dhe siç është konstatuar në Raport, administrata zgjedhore gëzonte besimin e opinionit për punën dhe kapacitetin e saj. Është konstatuar se rekomandimet i referohen dobësive sistematike të rregullores zgjedhore, për të cilat KSHZ-ja si edhe deri më tani do të marrë pjesë aktive në procesin e përmirësimit të Kodit Zgjedhor dhe do të angazhohet për zbatimin e plotë të rekomandimeve nga Raporti.
Përfaqësuesit e pranishëm ranë dakord që si bazë për bashkëpunim të mëtejshëm, duhet të merren parasysh gjetjet për zbatimin e rekomandimeve të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR dhe të bëhen përpjekje të vazhdueshme për zhvillimin e procesit zgjedhor.
Të dyja palët konkluduan se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare u zhvilluan me sukses dhe shprehën mirënjohjen për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të hapur për zhvillimin e procesit zgjedhor në të ardhmen.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE