Sot, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore, IFES mbajtën punëtori edukative për përfaqësuesit e organizatave dhe shoqatave të shoqërisë civile në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Punëtoria ishte e dedikuar për organizatat dhe shoqatat që shprehin interes për vëzhgimin e procesit zgjedhor të Zgjedhjeve të ardhshme për President të Shtetit dhe Zgjedhjeve për deputetë Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Qëllimi i këtij sesioni edukativ ishte që të pranishmit të njihen me procesin e akreditimit të vëzhguesve vendorë, si dhe me të drejtat dhe përgjegjësitë që ata kanë në pajtim me Kodin Zgjedhor. Përmes prezantimit të Udhëzimit për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe procedurës zgjedhore dhe njohjes me Kodin për vëzhgimin e zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, 2024, përfaqësues të organizatave dhe shoqatave u njohën në detaje me rregullat e vëzhgimit, me mundësitë profesionale dhe teknike të procesit.

Nëpërmjet aplikimit të metodologjisë ndërvepruese nga trajnuesit, personat që vizituan punëtorinë simuluan një proces të vëzhgimit dhe u përballën praktikisht me situatat që ndodhin në ditën e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, vëzhguesit potencialë të zgjedhjeve fituan njohuri në fushën e vëzhgimit të zgjedhjeve, përmirësuan njohuritë dhe aftësitë e tyre dhe morën përgjigje për të gjitha pyetjet që ishin objekt i interesit të tyre.

Një pjesë e sesionit ishte e fokusuar dhe e dedikuar në atë se cila pjesë e procesit zgjedhor vëzhgohet nga ana e vëzhguesve të akredituar, si regjistrohen vërejtjet e mundshme që vëzhguesit i kanë hasur në vendvotime dhe si raportohen ato pas përfundimit të zgjedhjeve.

Kjo punëtori edukative është paraparë në Programin për edukimin e aktorëve të tjerë në procesin zgjedhor, një praktikë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po e vendos për herë të parë në punën e tij.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content