Sot në hapësirat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është mbajtur konferencë për shtyp. Në takim, anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve prezantuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor, shpjeguan të gjitha temat aktuale lidhur me zgjedhjet e ardhshme dhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.
Anëtarët e komisionit shpjeguan në detaje ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor, ndër të cilat është krijimi i Qendrës për Edukim të Vazhdueshëm në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, e cila do të sigurojë trajnime të vazhdueshme për administratën zgjedhore, votuesit, pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, përfaqësuesit e autorizuar të parashtruesve të listave, mediave, vëzhguesve të zgjedhjeve dhe të gjitha palëve të interesuara që marrin pjesë në çfarëdo mënyre në zgjedhje. Gjithashtu, Qendra do të përpunojë hulumtime dhe analiza për nevojat dhe me kërkesë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Me këto ndryshime dhe plotësime në Kodin Zgjedhor, u fut neni i ri 173a, me të cilin përcaktohet se kushtet e qasjes për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara në mjediset ku ndodhen qendrat e votimit kujdesen nga institucionet dhe autoritetet përkatëse në pronësi të të cilëve janë objektet.
U shpjegua edhe ndryshimi në pjesën e nënshkrimeve të nevojshme për kandidim për deputetë, kryetar komune dhe anëtarë të këshillit, përkatësisht është e nevojshme të mblidhen 1% nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në ekstraktin nga Lista Zgjedhore për njësinë zgjedhore, respektivisht komunën.
Sa u përket pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore, shtohen dy dispozita të reja që synojnë kufizimin e shpenzimit të mjeteve nga llogaria e transaksionit të destinuara për fushatën zgjedhore. Mjetet nga llogaria e transaksionit të destinuara për fushatën zgjedhore nuk mund të shpenzohen nga momenti i konfirmimit të listave të kandidatëve deri në fillimin e fushatës zgjedhore. Gjithashtu, nga momenti i konfirmimit të listave të kandidatëve deri në fillimin e fushatës zgjedhore, pjesëmarrësit në zgjedhje kanë të drejtë të organizojnë nga një ngjarje publike për promovimin e listave të konfirmuara të tyre të kandidatëve dhe programeve zgjedhore.
Po ashtu, janë duke u rirregulluar dhe saktësuar dispozitat lidhur me financimin e zgjedhjeve dhe dorëzimin dhe publikimin e raporteve për donacionet e pranuara në llogarinë e transaksionit për fushatën zgjedhore. Në lidhje me donacionet, dispozita thekson: “Nëse i njëjti person juridik ose i njëjti person fizik dhuron mjete në një xhiro-llogari të një partie politike dhe në ndonjë llogari transaksioni për fushatë zgjedhore të një pjesëmarrësi në fushatë zgjedhore, shuma e mjeteve në mënyrë kumulative në llogarinë e transaksionit për fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më e madhe se 3.000 euro në kundërvlerë të denarit për personin fizik ose 30.000 euro në kundërvlerë të denarit për personin juridik.”
Me propozim-ligjin propozohet të përcaktohet afati i qartë kohor për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura në rastet kur nuk plotësohet kërkesa për pjesëmarrje në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar komune, e gjitha kjo për të reduktuar rrezikun e zgjedhjeve të pasuksesshme.
Ndryshimet e parashikuara në këtë aktvendim ligjor rregullojnë afatin e vendimmarrjes së Gjykatës Administrative në rast të padisë për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore të parashtruesve të listave dhe zgjedhësve.
Me dispozitën kalimtare të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat do të zbatohen vetëm për zgjedhjet e vitit 2024, zgjedhësit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria nga muaji i 9 deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Në zgjedhjet presidenciale do të mund të votojnë shtetasit të cilëve u kanë skaduar dokumentet personale për çfarëdo arsye nga data 24.7.2023 deri në ditën e zgjedhjeve, respektivisht deri më 24.4.2024.
Në zgjedhjet parlamentare do të mund të votojnë shtetasit të cilëve u kanë skaduar dokumentet personale për çfarëdo arsye nga data 8.8.2023 deri në ditën e zgjedhjeve më 8.5.2024.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE