Më 2 shkurt, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shënoi Ditën Globale të Zgjedhjeve.
Si rezultat i angazhimit që doli nga Konferenca Globale për Zgjedhjet e mbajtur nga 15 deri më 17 shtator 2005 në Budapest, Hungari, Dita Globale e Zgjedhjeve festohet çdo vit të enjten e parë të shkurtit. Në këtë ditë komisionet zgjedhore në mbarë botën organizojnë tryeza të rrumbullakëta, debate, punëtori, takime me qytetarë etj. me qëllim që të theksohet përkushtimi për mbrojtjen e të drejtës së votës si një nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Në manifestimin me rastin e kësaj dite të rëndësishme, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve prezantoi aktivitetet që ka realizuar gjatë vitit 2022, si dhe një pjesë të aktiviteteve të planifikuara për vitin 2023.
KSHZ-ja zyrtarisht promovoi edhe Portalin për Zgjedhjet, i cili do t’u mundësojë të gjithë të interesuarve qasje më të lehtë në të gjitha të dhënat statistikore lidhur me proceset e zhvilluara zgjedhore, të cilat mund të përdoren për informim, hulumtim dhe analizë.
Ky portal edhe një herë thekson përkushtimin e KSHZ-së për transparencë në punë, hapje, llogaridhënie dhe disponueshmëri të të dhënave.
Portali gjendet në linkun e mëposhtëm: https://ep.sec.mk/
Është prodhuar me mbështetjen e Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore IFES, përmes një projekti të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE