Shkup – 8 maj 2024 – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve priti përfaqësues të rangut të lartë nga organe të ndryshme ndërkombëtare për menaxhimin e zgjedhjeve, të cilët morën akreditime për vëzhgimin e zgjedhjeve në shtetin tonë. Të ardhur nga Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Ukraina dhe Kosova, këta vëzhgues u interesuan për kornizën ligjore për zgjedhjet në Maqedoni, procedurat para dhe ditën e zgjedhjeve, si dhe mënyrën e përmbledhjes dhe prezantimit të rezultateve zgjedhore.
Gjatë vizitës së tyre, vëzhguesit ndërkombëtarë zhvilluan takim me kryetarin, nënkryetaren dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilët i njoftuan me procesin e përgatitjeve për realizimin e Zgjedhjeve Presidenciale dhe Zgjedhjeve Parlamentare, si dhe pritjet nga dita e zgjedhjeve në drejtim të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe korrekte.
Vëzhguesit u ndanë veçanërisht të impresionuar nga përpjekjet e Komisionit për të garantuar integritetin dhe drejtësinë e zgjedhjeve, duke inkurajuar avancimin e vazhdueshëm të demokracisë në shtetin tonë.
Delegacioni vizitoi edhe Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u njoh me dinamikën legjislative të vendit tonë. Kjo përvojë u ofroi vëzhguesve kuptim më të thellë të strukturës menaxhuese të vendit tonë dhe rolit kyç të shtëpisë ligjvënëse.
Vëzhguesit ndërkombëtarë u impresionuan nga niveli i profesionalizmit të organeve zgjedhore në të gjitha nivelet, si dhe nga sjellja demokratike e votuesve në ditën e zgjedhjeve dhe motivimi i tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. Ata vlerësuan frymën e bashkëpunimit të treguar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në promovimin e vlerave demokratike në mbarë botën.









.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE